Zor se ka shqiptar që nuk e njeh këtë “salcë”, ardhur nga shteti fqinj Greqia. Qoftë e përhapur mbi piten e sufllaqes, qoftë lënë mënjanë në një pjatancë të vogël në tryezën e natës së Vitit të Ri, xaxiqi e ka gjetur vendin e tij edhe në Shqipëri. Mund të duket budallallëk ta bësh këtë pyetje, por a e njihni xaxiqin aq shumë sa ta përgatisni vetë?
Rrëmbeni kosin, kastravec, kopër, hudhër etj., sepse sot do të mësojmë recetën e tij. Mund ta shoqëroni xaxiqin me pite (receta ndodhet këtu), si dhe për të shoqëruar mishra të pjekur thjeshtë. Sigurisht, edhe një fetë bukë lyer me xaxiq është fantastike!
Për më tepër receta salcash, klikoni këtu.
Përbërësit
1 kastravec mesatar, i qëruar dhe i grirë hollë
2 thelbinj hudhër të grirë hollë
1 lugë vaj ulliri
500 gr kos
2 lugë kopër e grirë
1 lugë lëng limoni
1. Përzieni thelbinjtë e hudhrës me vajin e ullirit. Po ashtu, kastravecit të grirë shtojini pak kripë dhe përziejini mirë. Kullojini kastravecit ujin që mund të ketë.
2. Shtoni kastravecin te hudhra me vaj, më pas hidhni gjithçka te kosi, duke përzier derisa të përhapen njëtrajtësisht.
3. Shtojini kosit koprën e grirë dhe lëngun e limonit, dhe përzieni gjithçka mirë.
4. Mbulojeni salcën me fletë celofani transparente dhe lëreni të ftohet në frigorifer për rreth 1 orë.
Show Comments (0)