Fine si vetë emri i tyre! Duken si biskota, por në fakt “Madeleine” janë kekë të vegjël francezë, shoqërues perfektë të çajit. Dallohen nga forma e tyre e bukur si guaskë, por fatkeqësisht nuk dimë se ku apo nëse mund të gjeni në Shqipëri një stampë me forma të tilla. Mbase mund të keni fat në dyqanet “Neranxi”.
Sido të jetë, mos i lini kekët “Madeleine” pa i provuar. Gjithnjë mund t’i piqni në stampa të tjera, me forma sipas dëshirës tuaj.
“Madeleine” u bënë të famshme nga shkrimtari i njohur francez Marcel Proust, i cili i përmendte ato në kujtimet e tij. Është mirë që kekët t’i konsumoni po atë ditë që i gatuani, sa janë të buta dhe të shkrifëta. Të gjithë e dinë që kekët janë në kulmin e tyre në ditën e parë, në fund të fundit!
Përbërësit (për 12 kekë)
160 gr miell
85 gr sheqer pluhur
1 lugë çaji pluhur pjekjeje
2 vezë
lëkura e grirë e 1 limoni
1 lugë lëng limoni
6 lugë gjalpë pa kripë, i shkrirë dhe paksa i ftohur
1. Ndizeni furrën me 190 gradë. Bëni me gjalpë një stampë me 12 forma dhe lëreni mënjanë.
2. Përzieni bashkë miellin dhe pluhurin e pjekjes.
3. Me një mikser elektrik, rrihni vezët dhe sheqerin pluhur bashkë për 5-7 minuta derisa përzierja të trashet dhe të jetë kremoze. Shtoni lëkurën e grirë të limonit dhe lëngun e limonit dhe rrihini sërish edhe për pak, sa të mblidhen bashkë.
4. Shtoni te vezët me sheqer me kujdes ¼ e miellit dhe ¼ e gjalpit të shkrirë, duke përzier që të mblidhen. Përsëritni procedurën me pjesën e mbetur të miellit dhe gjalpit, duke shtuar çdo herë nga ¼. Masa në fund duhet të jetë homogjene.
5. Lëreni masën mënjanë për 10 minuta, pastaj me kujdes shtojeni me lugë në format e bëra me gjalpë. Tundeni paksa lehtë për të hequr flluska ajri.
6. Piqini kekët në furrë për 12-15 minuta, derisa kunja që fusni brenda tyre del e pastër. Lërini kekët të ftohen dhe pluhurosini me sheqer pluhur.
Show Comments (0)