Pasi dhamë recetën e një rizotoje me djathë Gorgonzola, të shijshme sa më s’ka, por “katastrofike” në kalori, kalojmë te rizoto ku e ku më të shëndetshme, që përmbajnë edhe perime për të cilat zor se gjendet vendi ndonjëherë.
Fillimisht, rrëmbeni një kungull të madh dhe të verdhë, dhe jo, nuk do ta përdorim për byrek me kungull. Ja që orizi dhe kungulli shkojnë bashkë, sepse kungulli i verdhë nuk i mungon kuzhinës padane, ndaj do eksperimentohej edhe me karbohidrate si orizi. Provoni të gatuani këtë rizoto të shijshme, të shëndetshme dhe me ngjyra të bukura falë rendeve të kungullit, dhe shtojini listës suaj të ushqimeve të preferuara një pjatë të re!
Për më tepër receta rizotosh, klikoni këtu.
Përbërësit (për 4-5 persona)
1 kungull i verdhë 1 kg
400 gr oriz
6 lugë vaj ulliri
gjysmë gote verë e bardhë
gjysmë litri lëng mishi
100 gr kaçkavall i grirë
kripë e piper
arrëmyshk ose kanellë për më tepër shije
Përgatitja
1. Qëroni kungullin, hiqjani fijet dhe farat, pastaj grijeni në rende të mëdha. Në një tigan me fund të thellë hidhni vajin e ullirit, shtoni kungullin dhe lëreni në zjarr të lehtë.
2. Kur kungulli të jetë gjysmë i fërguar, shtoni orizin, përziejini mirë që të marrin shijen, pastaj hidhni verë, kripë e piper. Lëreni orizin të ziejë në flakë shumë të ulët.
3. Shtoni pak nga pak lëngun e mishit dhe përzieni. Lëreni orizin të ziejë. Orizi duhet të bëhet i thatë, por i butë.
4. Hiqeni nga zjarri dhe shtoni djathin kaçkavall. Nëse doni t’i shtoni edhe arrëmyshk apo kanellë, 2-3 minuta para se ta hiqni orizin nga zjarri, shtojini nga një gjysmë luge.
Show Comments (0)