Këto petulla të fryra, të buta, me vrimë në mes dhe me çokollatë përsipër (më së shumti) kanë qenë gjithnjë mister për mua, kur i shihja në filma amerikanë, apo edhe kur i hante Homer Simpson, në serialin e njohur “The Simpsons”. I quaj petulla amerikane, sepse ngado ta kenë origjinën, janë simbol në Amerikë, aq sa i lidhin edhe me policët amerikanë. Gojët e liga thonë që policët amerikanë preferojnë të rrinë në makinë duke ngrënë petulla se sa të bëjnë punën e tyre; le të shpresojmë që s’është e vërtetë.

Pjesa më e madhe e jetës sime, deri ditët e sotme, më iku pa pasur mundësi t’i provoja. Më pas, mora dijeni për dyqanin “Donuts House” në Tiranë, dhe aty hëngra petullën time të parë me vrimë, siç mund të kenë bërë shumë prej jush. A do t’i miratonin amerikanët këto petulla nuk e di, por për mua ishin tejet të shijshme.

Shqiptarët janë mësuar me tjetër lloj petulle, vetëm me miell, maja dhe ujë, që të lënë lirinë t’i ngjyesh e zhyesh me çfarë të duash: mjaltë, reçel, çokokrem, djathë etj. Nëse ndjeni që doni diçka më ndryshe nga petulla tradicionale, mund të provoni të gatuani këto petulla amerikane, që jam e sigurt se ju intrigojnë, po aq sa mua.

 

Përbërësit (për 12 petulla)
600 gr miell
260 gr qumësht
2 vezë
11 gr maja e thatë
100 gr gjalpë i shkrirë
40 gr sheqer i imët
10 gr sheqer vanilje
8 gr kripë
vaj për skuqje

Për çokollatën
180 gr sheqer pluhur
30 gr kakao e hidhur pluhur
60 ml qumësht
1 lugë çaji ekstrakt vanilje

 

 

Përgatitja
1. Shtoni në qumësht gjalpin e shkrirë, sheqerin, sheqerin e vaniljes dhe kripën dhe përziejini mirë. Hidheni qumështin në një tas të madh dhe shtoni majanë dhe vezët, dhe rrihni gjithçka mirë, derisa të njëtrajtësohen.
2. Shtoni në tasin e madh me qumësht pak nga pak miellin duke përzier, derisa të formohet brumi. Punojeni mirë, mblidheni brumin dhe lëreni në tas të mbuluar me një cohë derisa të dyfishohet në përmasa.
3. Punojeni brumin në një sipërfaqe me miell duke e shtrirë me petës, në trashësi 1.2 cm. Në brumin e shtrirë prisni me një filxhan apo formë rrethore më të madhe rrathë, sa më tepër të mundni, dhe me një gotë shumë më të vogël, gotë shotsi p.sh., prisni në mes të rrathëve rrathë të vegjël. Brumin e mbetur punojeni sërish dhe bëni të tjerë rrathë nëse mundni.
4. Në një tigan të mbushur me vaj 1.5-2 cm, lëshoni një nga një rrathët e prerë, dhe skuqini nga secila anë, duke i rrotulluar për t’i kontrolluar herë pas here. Petullat duhet të marrin ngjyrë të artë. Kullojini në një pjatancë ku keni shtruar letër kuzhine.
5. Për shtresën e çokollatës, përzieni bashkë në një tas sheqerin pluhur me kakaon, dhe shtoni qumështin dhe ekstraktin e vaniljes. Përzieni gjithçka derisa përbërësit të treten dhe të mos kenë kokla.
6. Zhysni njërën anë të petullave në çokollatë dhe lërini për pak minuta mënjanë që çokollata të fiksohet mirë.

Tags:

  • Show Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

comment *

  • name *

  • email *

  • website *

Ads

You May Also Like

Domate të mbushura greke

Kemi dhënë recetën për kunguj të mbushur, dhe kemi dashur prej kohësh t’ju japim ...

A proper lunch that is ready within one episode of FRIENDS

I would say that the dirty mean reason of this recipe is that noone ...

Recetat e Mamit: Pispili me spinaq dhe borzilok

Mbaj mend qe kur isha i vogel, koncepti i pispilise ishte nje gje qe ...

Krem bavarez me luleshtrydhe

Kjo periudhë është piku për luleshtrydhe dhe sigurisht, luleshtrydhet janë nga frutat më të ...

Brownie me dopio çokollatë

“Të hash e të vdesësh”… dhe nuk ka gjë që të shkakton vdekje më ...