Kemi dhënë recetën për kunguj të mbushur, dhe kemi dashur prej kohësh t’ju japim edhe recetën e një tjetër tave me perime të mbushura. Jo, nuk janë specat, e as patëllxhanët, por domatet. Siç do ta zbuloni, mund të jenë një enë mbajtëse mjaft e shijshme për mbushje. Në fund të fundit, ku futet domatja në mes, çdo gjë bëhet më e mirë! Edhe më të vegjëlit në moshë vështirë t’i bëjnë naze, siç mund t’i bëjnë kungullit apo patëllxhanit.
Normalisht, mbushja përfshin mish, por edhe salcë beshamel, recetën e së cilës e kemi bashkangjitur më poshtë. Zakonisht shërbehet edhe si meze, por kjo recetë vjen me paralajmërimin “Një domate e mbushur shërbehet si antipastë, dy shërbejnë si pjatë e parë”. Mishi është “fajtori” në këtë mes.
Të gjithë përbërësit e tjerë të mbushjes janë tejet bazikë dhe me siguri ju gjendjen në kuzhinë, ndaj mund ta provoni këtë gatim që tani!
Përbërësit
6 domate të pjekura, por të forta
300 gr mish i grirë
1 qepë e grirë
250 ml salcë beshamel (receta ndodhet këtu)
1 gjethe dafinë
2-3 rrënjë karafili
gjysmë gote verë e bardhë
3-4 lugë vaj ulliri
kripë
Përgatitja
- Hiquni bishtat domateve, zbrazini nga farat dhe tuli, hidhuni pak kripë dhe vërini përmbys që të kullojnë.
- Në një tigan, skuqni qepën me vaj ulliri, shtoni mish, fërgojini pak sa të marrin ngjyrë dhe shuajini me verë të bardhë, përpara se të hidhni tulin e hequr të domateve.
- Shtojini përzierjes gjethen e dafinës dhe rrënjët e karafilit, provojeni për kripë dhe shtojini sipas shijes tuaj, ndërsa lini gjithçka të gatuhet në zjarr mesatar, duke përzier herë pas here, derisa të mpaket dhe të mblidhet.
- Me mbushjen e përgatitur mbushni domatet e qëruara, vendosini në një tavë pjekjeje dhe mbulojini domatet me salcën beshamel. Piqini në furrë me 200 gradë derisa të tkurren dhe lëshojnë aromën dhe shijen e tyre.
Show Comments (0)