Turli franceze Ratatouille (stili “Confit byaldi”)

Falë një libri me receta franceze që daja i dhuroi mamasë time, jam njohur prej kohësh me turlinë e shijshme franceze, quajtur Ratatouille. Ndërsa mund t’i bëja naze versionit shqiptar të turlisë, versioni francez i saj më dukej tejet i mirë, mbase për shkak të erëzave dhe ngjyrave të bukura, ku specat, të kuq dhe të verdhë, luanin një rol të madh në hijeshinë dhe shijen e pjatës.

Më pas, filmi “Ratatouille” me miun e talentuar kuzhinier Remy më prezantoi me një turli franceze më të rafinuar, të denjë për restorante mbajtës të yjeve Michelin. Duhet të dini që turlia është një gatim popullor, “paesant dish” siç e quajti shefja Colette. Ama, prezantimi i turlisë nga ana e miut në stilin “Confit byaldi” e ngriti atë në një tjetër nivel, që mrekulloi edhe kritikun më të ashpër në të gjithë Francën.

Sot, do t’ju tregojmë pikërisht se si ta gatuani këtë pjatë të bukur dhe të pasur në shije.

 

Përbërësit

4 domate të kuqe (është më mirë të jenë të gjata se të gjera)

2 speca të mëdhenj që përdoren për mbushje (preferohen të kuq dhe të verdhë)

majdanoz

2 thelpinj hudhre

¼ qepë e bardhë

200 ml lëng perimesh (krijojeni me koncentrat)

vaj ulliri

pak ujë të nxehtë

2 kunguj të mëdhenj, një i verdhë dhe një jeshil

1 patëllxhan i madh

rozmarinë

kripë, piper

 

Përgatitja

  1. Nisim duke përgatitur salcën që do të jetë poshtë perimeve të vendosura bukur në tavë. Në fundet e domateve, bëni një carje të vogël në formë kryqi dhe futini domatet në një tenxhere me ujë që zien tashmë për rreth 30 sekonda, më pas kalojini menjëherë në një enë me ujë të ftohtë. Hiquni lëkurën duke e tërhequr nga të çarat kryq.
  2. Specat e mëdhenj duhet t’i piqni në zjarr derisa lëkura e jashtme t’u erret, duke pasur kujdes mos t’i digjni krejtësisht. Hiqini nga zjarri, mbulojini me letër alumini dhe lërini të zbuten në avullin e tyre për disa minuta. Hiquni lëkurën e errësuar.
  3. Në një mikser, fusni 2 domate, 2 specat, pak majdanoz, hudhrën, qepën, lëngun e perimeve dhe pak vaj ulliri dhe nisni t’i përzieni. Shtoni dhe pak ujë të nxehtë për ta bërë grirjen më të lehtë. Grijini perimet derisa të bëhet një salcë e njëtrajtshme në ngjyrë të bukur të verdhë në të kuqe.
  4. Nisni duke prerë rrathë të hollë nga domatet, kungujt dhe patëllxhani, të së njëjtës trashësi. Përpiquni të merrni të njëjtën sasi rrathësh nga të gjitha perimet, duke shtuar apo hequr perime nëse duhet.
  5. Në një tavë pjekjeje, shtroni një shtresë salce të përgatitur, dhe më pas nisni të vendosni me radhë perimet, duke kombinuar ngjyrat si të dëshironi. Mund të vendosni p.sh. domate-kungull jeshil-kungull i verdhë-patëllxhan, apo si t’ju duket ju dizenjoja më e bukur. Mbuloni tavën tërësisht me këto dizenjo, duke rrethuar fillimisht anët e tavës me perime, e më pas duke mbushur mesin e saj. Hidhni sipër perimeve rozmarinë, pak vaj ulliri, kripë dhe piper, dhe vendosni sipër perimeve një letër furre.
  6. Futeni tavën në furrë me 120 gradë për rreth 90 minuta.

Nëse doni të krijoni prezantimin e famshëm të ratatouille-t në film, ju duhet një tub metalik, ku do të merrni disa perime dhe do t’i vendosni fillimisht vertikalisht, ngjitur dhe duke u siguruar që të qëndrojnë kur tubi të hiqet, dhe më pas një tjetër shtresë perimesh horizontalisht mbi perimet vertikale. Rrotull perimeve formoni një rreth me salcën e mbetur dhe ju bëftë mirë!

Tags:

  • Show Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

comment *

  • name *

  • email *

  • website *

Ads

You May Also Like

Pule Piccata me limon dhe caperi

Koncepti I pules piccata eshte po aq Italian dhe sa amerikan ne teresi. Po ...

“Oriz i zi” me çokollatë

S’merret vesh moti! Nga një fundjavë ku të gjithë ishim në plazh, duke marrë ...

Cheesecake me oreo dhe Nutella e papjekur

Njёra ndёr shoqet mё tё mira pati datёlindjёn kёtё jave, kёshtu qё vendosa ta ...

Ide Shën Valentini: Oysters (gocë deti)

Njihen si ushqim delikat dhe fantastik në shije, por sidomos si afrodiziak për njeriun, ...