Nga emri ngjan si një pjatë “fancy”, apo jo?
Mos u trembni! Pula Satay vjen nga Azia, është mjaft e shijshme, dhe nuk është gjë tjetër veçse një street food, ushqim i bërë në kioska rruge, për të shuar nepsin që mund të të kapë nga hiçi. Duke qenë një ushqim i tillë, mund ta merrni me mend që s’ka si të dojë teknikë në përgatitjen e tij.
Do t’ju duhet të bëni një vizitë të shkurtër në seksionin e erëzave dhe salcave aziatike në supermarket, por vetëm kaq. Të gjithë përbërësit e tjerë janë përbërës të njohur për ne shqiptarët, duke nisur nga gjoksi i pulës e deri te mjalti.
Masat e mëposhtme janë për një festë të vogël mes miqsh, pra rreth 8 veta, por normalisht mund t’i përshtatni sipas nevojës tuaj.
Ah, mos harroni edhe shkopinjtë e drurit, ku do të fusni pulën e aromatizuar! Ajo është gjysma e qejfit të këtij ushqimi!
Përbërësit (për 8 veta)
8 gjokse pule
Për salcën
100 gr kikirikë pa kripë
3 qepë skalinji të grira hollë
2 thelpinj hudhër
1 lugë salcë curry
1 lugë kumin pluhur
gjysmë luge koriandër e grirë
1 lugë mjaltë
2 lugë salcë soje
250 ml ujë
Për marinadën
2 lugë salcë soje
2 lugë lëng qitro (ose edhe portokall)
2 lugë vaj susami
Përgatitja
- Pritini në copa gjokset e pulës. Futeni pulën në 32 shkopinj hej, pra i bie 4 shkopinj për person.
- Vendosni kikirikët, qepët, hudhrën, salcën curry, kuminin, koriandrën, mjaltin, salcën e sojës dhe ujin në mikser, dhe punojini derisa të merrni një përzierje homogjene. Të gjithë këtë përzierje vëreni në një tenxhere, dhe ziejeni në zjarr të mesëm për rreth 3 minuta, ose derisa të trashet mirë.
- Hidhni salcën e sojës, lëngun e qitros dhe vajin e susamit në një pjatë dhe përziejini mirë. Lyejeni pulën me këtë marinadë, pastaj futini në furrë dhe piqini mirë, duke vazhduar t’i lyeni gjokset e pulës me marinadën përgjatë pjekjes, për më tepër shije.
- Pasi të piqen mirë, shërbejini hejet me pulë të ngrohta, me salcën e kikirikut mënjanë në një pjatancë salcash.
Ju bëftë mirë!
Show Comments (0)