Receta e sotme nuk kërkon fort mund për t’u përgatitur, po të përjashtojmë pandispanjën që duhet të piqni, të cilën e kemi postuar veçmas si recetë, duke qenë se është një nga gatimet më bazike në kulinarinë e ëmbëlsirave. Recetën e pandispanjës e kemi bashkangjitur më poshtë, te lista e përbërësve.
Përveç kësaj, torta me gjizë dhe fruta pylli ka fare pak përbërës të tjerë. Mund të gjeni miks të gatshëm frutash pylli në supermarkete, po ashtu dhe ajkë e kos grek. Gjiza pa kripë mund të gjendet kudo, dhe e vetmja gjë që ju ngelet është t’i përzieni përbërësit, për të krijuar një tortë të freskët e të shijshme për këtë mot të ngrohtë.
Receta jonë e nis tortën me dy shtresa, por nëse doni, mund të ngrini sa shtresa të dëshironi, duke i mbushur ato njëra pas tjetrës.
Përbërësit (për 6 persona)
500 gr gjizë pa kripë
270 gr sheqer
1 kos grek
400 ml ajkë
500 gr fruta pylli të përziera
lëngu i një gjysmë limoni
2 disqe nga 24 cm pandispanjë (receta e pandispanjës ndodhet këtu)
Përgatitja
- Në një pjatë përziejeni gjizën e shtypur mirë me 120 gr sheqer dhe kosin grek.
- Rriheni ajkën që të fryhet dhe shtojani përzierjes së gjizës me kujdesë që të mos bjerë sërish. Shtoni pastaj 100 gr fruta pylli dhe përziejeni.
- Sistemoni një disk pandispanjë në fundin e tavës, hidhini përsipër kremin e gjizës duke e niveluar mirë, dhe mbulojeni me diskun tjetër.
- Në një tenxhere, vendosni frutat që ngelën me sheqerin që ka tepruar dhe lëngun e limonit, dhe përziejini në zjarr të plotë derisa të jenë bërë si shurup. Lërini të ftohen. Me këtë përzierje lyeni sipërfaqen e pandispanjës dhe vëreni në frigorifer, për së paku 3 orë.
Show Comments (0)