Kek “Bjondinat”

Më ra në sy kjo ëmbëlsirë ndërsa kisha humbur në Youtube, në labirintin e videove të gatimit nga shefi Gordon Ramsey. Nëse nuk e njihni kush është, s’jeni ende gati për botën e gatimit.

Ndonëse jam tipi i personit që dëshiron ngjyra te ëmbëlsira, ose të paktën çokollatë, për të marrë mundimin që ta hap recetën, te këto pafka të lezetshme keku marketingu luhej nëpërmjet emrit të tyre: Blondies, apo shqip, Bjondinat.

Gjej rast të ankohem që nuk ka ende ëmbëlsira Brunet apo Kuqet, megjithëse ma do mendja që “brownies” mund të përfaqësojnë flokët gështenjë dhe një spektër ngjyrash të errëta. Mbase dhe një kek red velvet për kuqet.

Disa i quajnë Bjondinat “brownies” pa çokollatë, por nuk është aspak kështu, sepse Bjondinat kanë shije tërësisht të tyren. Janë të buta, të shkrifëta dhe nga ato ëmbëlsirat perfekte kur hap dollapë e frigorifer sepse nuk di si ta shuash nepsin që të ka kapur.

Pale si janë për të shoqëruar çajin e mbasdites, nëse doni një ceremoni “fancy” dhe diçka të shijshme për t’u shërbyer miqve tuaj.

 

Përbërësit

180 gr gjalpë

300 gr sheqer

pak kripë

1 luge çaji ekstrakt vanilje

2 vezë të rrahura

280 gr miell

½ lugë çaji sodë buke

1 lugë çaji pluhur pjekjeje (baking powder)

220 gr çokollatë e bardhë e copëtuar

4 lugë boronica të kuqe të thata (cranberries) ose mjedra

 

 

Përgatitja

  1. Përgatisni një tavë katrore duke shtruar letër furre për të mbuluar fundin dhe anët e saj.
  2. Shkrini gjalpin në një tigan dhe më pas shtojani gjalpin tasit ku keni hedhur sheqerin me pak kripë, duke përzier. Gjalpi i ngrohtë do ta shkrijë sheqerin dhe do të merrni një përzierje të artë, të rrjedhshme. Shtoni ekstraktin e vaniljes dhe përzieni sërish.
  3. Shtoni vezët e rrahura te përzierja me gjalpë dhe vazhdoni përzierjen. Sitni mbi to miellin, sodën dhe pluhurin e pjekjes, dhe përziejini me kujdes pa formuar kokrriza. Brumi duhet të jetë i njëtrajtshëm, si brum keku.
  4. Shtoni te brumi çokollatën e bardhë dhe boronicat/mjedrat, dhe përziejini mirë.
  5. Hidheni brumin në tavën e përgatitur dhe përhapeni mirë me spatul. Piqeni në furrë për 35-40 minuta me 180 gradë.

Lërini Bjondinat të ftohen dhe pritini në katrorë. Shoqërojini me çajra frutash apo edhe çaj jeshil.

Tags:

  • Show Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

comment *

  • name *

  • email *

  • website *

Ads

You May Also Like

Torta “Sacher”

Më lejoni t’ju tregoj për një nga tortat e mia më të preferuara, krijuar ...

Salca Hollandaise (për vezë Benedict)

Në kulinari, nëse ke thënë “salcë Hollandaise”, ke thënë bashkë me të edhe “vezë ...

Kajmaklie me luleshtrydhe

Kajmaklia nuk është gjë tjetër veçse një kek-mafishe, i lehtë dhe i butë, i ...