Një ëmbëlsirë e re që ka fituar popullaritet kohët e fundit është padyshim waffle, duke shtuar këtu edhe kontributin e Cioccolatitaliani-t në Bllok, qendrës kryesore për waffle dhe foto waffle-sh.
Waffle është mjaft i shijshëm dhe po aq i thjeshtë për t’u përgatitur nga vetë ju, në shtëpinë tuaj. E vetmja pengesë në këtë mes është fakti që mund të mos keni thekëse posaçërisht për waffle, që i jep atë formën karakteristike.
Megjithatë, Jamie Oliver këshillon që waffle-t të gatuhen në një tigan zgarë, pasi nuk ka pikë ndryshimi, përveçse do të merrni waffle me pak a shumë pamjen e një pancake me vija.
Përbërësit (për rreth 10 waffle)
250 gr miell shumë-përdorimësh
150 gr sheqer
3 lugë çaji sodë buke
2 vezë të mëdha, me të verdhën dhe të bardhën të ndara
350 ml qumësht
220 gr gjalpë, i shkrirë
1 lugë çaji ekstrakt vanilje
Shurup panje/mjaltë/Nutella, fruta sipas dëshirës tuaj
Përgatitja
- Në një tas, përzieni miellin, sheqerin dhe sodën e bukës.
- Në një tas tjetër, rrihni të verdhat e vezëve. Shtoni qumështin, gjalpin, vaniljen dhe përziejini derisa të bëhen masë homogjene. Hidheni masën në përbërësit e parë duke përzier.
- Të bardhat e vezëve rrihini derisa të bëhen borë dhe shtojani brumit. Përziejini deri në masë homogjene.
- Merrni brumin me garuzhde dhe hidheni në thekëse waffle nëse keni, ose hidheni në tiganin-zgarë dhe piqini derisa të bëhen të arta.
Vendosni frutat dhe përbërësit që dëshironi sipër tyre. Ju bëfshin mirë!
Show Comments (0)