Çokollatë dhe mente? S’duken si dy përbërës që shkojnë bashkë, apo jo?
Megjithatë, nëse i keni provuar petëzat “After Eight”, çokollatë me një shtresë mente brenda saj, e dini që s’është e vërtetë.
Nëse as ato s’ju pëlqejnë, mbase nuk i keni ngrënë mjaftueshëm. Vazhdoni, provoni edhe ca më tepër dhe do të zbuloni që në fakt, i adhuroni.
Në recetën e sotme do të përfshijmë edhe biskotat në këtë mes, për një “crunchy twist” fantastik.
Përbërësit (për rreth 40 biskota)
230 gr gjalpë pa kripë
100 gr sheqer
½ lugë çaji ekstrakt vanilje
1 lugë çaji ekstrakt mente
200 gr miell gjithë-përdorimësh
60 gr kakao e hidhur, pluhur
¼ lugë çaji sodë buke
250 gr copëza çokollate
4 lugë çaji vaj
Përgatitja
- Përzieni gjalpin dhe sheqerin derisa të bëhet një krem i lehtë dhe i fryrë. Shtoni ekstraktin e vaniljes dhe mentes.
- Përzieni veçmas miellin, kakaon dhe sodën e bukës. Shtojani përzierjes së gjalpit me sheqer dhe vazhdoni ta rrihni derisa të bëhet brumi. Mbulojeni me letër plastike dhe futeni në frigorifer për së paku 1 orë.
- Nxeheni furrën në 180 gradë dhe vendosni letër furre mbi një tavë. Nxirreni brumin dhe lëreni në temperaturë dhome për pak minuta që të punohet më lehtë.
- Shtrojeni brumin dhe prisni rrathë me diametër 5 cm. Vendosini rrathët në tavë, lërini të pushojnë për 20 minuta, pastaj piqini për 20 minuta. Nxirrini biskotat dhe lërini të ftohen.
- Në një tas, shkrini në mikrovalë copëzat e çokollatës, duke i përzier çdo 15 sekonda, derisa të jetë plotësisht e lëmuar. Shtoni vaj për ta bërë çokollatën më të hollë.
- Zhysni çdo biskotë në çokollatë dhe lërini të ftohen në frigorifer derisa të ngurtësohen.
Show Comments (0)