Kam konsideruar seriozisht që ta provoj kuzhinën vegane, me hovin që ka marrë vitet e fundit. Mbase është një dietë ushqimore shumë e tepruar, me mungesën e mishit, qumështit, vezëve, gjalpit, mjaltit etj., por me sa më kanë parë sytë, gatimet e tyre duken të shijshme.
Thonë që dieta vegane ka shumë anë pozitive, dhe trupi më tepër përfiton se sa vuan nga ndërprerja e mishrave dhe produkteve shtazore. Mbase është e vërtetë, por duhet të studioj më tepër mbi këtë çështje.
Megjithatë, ka edhe të tjera përfitime në këtë mes: mendoni se sa priten shpenzimet mujore, kur nuk përfshin mish në listën e pazareve. Po ashtu, duhet vërtet të rris sasinë e perimeve dhe frutave që konsumoj.
Natyrisht pastaj, ndihesh mirë kur nuk po ha diçka tjetër që dikur ishte e gjallë. I keni parasysh ato videot në Youtube, ku i vënë njerëzit të hanë pulë të skuqur, dhe pastaj u sjellin zogj pushverdhë pule që t’i përkëdhelin? Ndihesh pakëz keq dhe i rimendon zgjedhjet e tua ushqimore, ma merr mendja.
Kalimi nga gjithçkangrënës në vegan nuk është aspak i lehtë, ndaj e nisim me një ëmbëlsirë vegane, si fillim. Mund të ketë të njëjtën shije me ëmbëlsirën reale, në mos më të mirë!
Përbërësit (për 4-6 veta)
200 gr sheqer i bardhë
200 gr sheqer kaf
100 gr kakao e hidhur pluhur
120 ml vaj
½ lugë çaji sodë buke
2 lugë çaji ekstrakt vaniljeje
1 lugë çaji kripë
200 gr miell
200 ml ujë
150 gr arra të copëtuara
150 gr copëza çokollatë (e zezë)
Përgatitja
- Shtoni në një tas sheqerin e bardhë, sheqerin kaf, kakaon e hidhur, vajin, sodën e bukës, ekstraktin e vaniljes dhe kripën (pra 7 përbërësit e parë), dhe përziejini derisa të bëhet masë homogjene.
- Shtoni më pas miellin dhe ujin dhe përziejini sërish, derisa të bëhet një masë kremoze.
- Shtoni arrat e copëtuara dhe copëzat e çokollatës dhe përziejini sërish.
- Hidheni brumin në një tavë të thellë katrore ku të keni vendosur letër furre (mos përdorni gjalpë!), dhe piqeni me 180 gradë për 12-15 minuta. Lëreni të ftohet dhe shërbejeni në copa.
Show Comments (0)