Nuk më kishte rënë ndërmend të grija dhe ngrija fruta, derisa u ndodha një ditë në një dyqan IKEA në Greqi dhe më zuri syri disa forma për kasata (ice pop) aq të lezetshme, sa ia vlente të përgatisje “akullore” me fruta vetëm për t’i përdorur. Vërtet nuk kemi IKEA në Shqipëri, por jam e sigurt që Jumbo ka këto forma dhe plot stile të tjera formash, sidomos tani që nxjerrin artikujt sezonalë!

Pse të mos përgatisim kasata në kushte shtëpie, në fund të fundit? Receta që përdor unë për kasatat e mia përmban vetëm fruta, qumësht dhe mjaltë. Edhe mamatë tona që tundin kokën kur dendemi me sheqerka dhe akullore dyqani, mund t’i aprovojnë këta përbërës.
Në fakt, fillimisht e bëja kasatën me kos, por tekstura që merrja nuk ishte ajo që doja, pasi dilte më tepër si akull se sa si akullore. Zor se bindja edhe tim vëlla që t’i shkonte kasatës deri në gjysmë, dhe nuk i vë faj.

Më pas, zëvendësova kosin me qumësht dhe problemi u zgjidh. Kasata, sado e ngrirë, ishte sërish kremoze dhe mund ta kafshoje pa problem, sepse gjithçka ndieje ishte shija e frutit, dhe jo ndonjë dhimbje koke nga i ftohti.

Shumë e rëndësishme është të shtoni edhe mjaltin, sepse i jep një shije tërësisht ndryshe. Në kasatat me luleshtrydhe që bëra, ku nuk futa mjaltë sepse mendova se nuk do të shkonin bashkë, shija e luleshtrydheve ishte fare e vakët. Mjalti ndihmon në zbutjen dhe ëmbëlsimin më tej të kasatës, dhe në mënyrë krejt natyrale, pa kurrfarë sheqeri të përpunuar.

Me vapën e verës që po vjen, këto kasata mund t’i stisni në sekondë vetëm me një mikser, dhe të freskoheni ndërsa i shijoni. Mund të zgjidhni çfarëdo fruti të dëshironi – këto kohë i kam shtuar frigoriferit edhe pjeshkat, dhe janë shija ime e preferuar për kasatë, pasi shkojnë në mënyrë perfekte edhe me mjaltin. Po e jap recetën e saj më poshtë.

Mund të provoni edhe shije ekzotike, si banane-ananas. Tani që është sezoni i manave dhe mamaja ime ka blerë një qese të tërë, i shoh ndonjëherë manat në bisht të syrit dhe pyes veten nëse do të dilnin akullore të mira, por hë për hë nuk kam eksperimentuar ende me to. Do t’ju përditësoj nëse dalin të mira.

Bëj shaka, s’ma mbushin syrin.

 

Përbërësit (për 6 format e mësipërme)
4 pjeshkë të vogla, të prerë në kubikë
200 ml qumësht
2 lugë mjaltë

Përgatitja
1. Fusni gjithçka në mikser dhe grijini derisa copat e pjeshkëve të shpërbëhen.
2. Fusni lëngun e krijuar në format e kasatave dhe vendosuni bishtat. Kujdes të mos i mbushni format deri në buzë, pasi kur të fusni shkopinjtë, lëngu do t’ju derdhet jashtë.
3. Futini format në ngrirje për së paku 4 orë. Kur t’i nxirrni, nëse keni vështirësi t’i shkëpusni, mbushni një gotë me ujë të nxehtë dhe fusni format për 3-5 sekonda brenda në gotë. Nxehtësia do ta shkëpusë kasatën nga forma.

Ju bëfshin mirë!

Tags:

Shendetshmerisht
  • Show Comments (2)

  • Eda

    Pershendetje, ju pergezoj per receten. Duket shume e thjeshte dhe e shijshme, patjeter qe do e provoj. Doja t’ju pergezoja gjithashtu edhe per shqipen e perdorur, paster e pa gabime. 🙂 😀
    Nga Eda

    • Guest Chef

      Te falenderoj Eda! Shpresoj te te pelqejne! 🙂

Your email address will not be published. Required fields are marked *

comment *

  • name *

  • email *

  • website *

Ads

You May Also Like

A proper lunch that is ready within one episode of FRIENDS

I would say that the dirty mean reason of this recipe is that noone ...

Si te gatuajme Paella Spanjolle me fruta deti

Nje nder gjerat me te mira qe mund te provosh ndonjehere eshte Paella spanjolle, ...

Krem bavarez me luleshtrydhe

Kjo periudhë është piku për luleshtrydhe dhe sigurisht, luleshtrydhet janë nga frutat më të ...

Pankakes me kos dhe shege

Pankakes, petulla, whatever – I quajme si te doni. Te preferuarat e mija jane ...

Kruasant: Metoda e shkurtër

A mund të biem të gjithë dakord që kruasantët janë ushqimi i përkryer për ...