Nuk është nevoja të bëjmë prezantime për këtë gatim tradicional grek, por i përgatitur edhe nga nënat shqiptare, mbase me disa ndryshime për ta përshtatur sipas shijes tonë.

Madje, nuk e di a e keni parë filmin “Dasma ime e madhe greke”, ku Tula e vogël merrte me vete në shkollë musaka, sepse kuptohet, çfarë mund të hajë tjetër vajza nga një familje fund e krye greke?

Vajzat amerikane, bjonde dhe llastica, e tallnin duke i thënë “Çfarë po ha ti, muskaka?” dhe gagariteshin si budallaqe, por ku dinë gjë ato në fund të fundit! Musakaja është të lëpish gishtat!

Sot do t’ju japim dy versione të musakasë, me patëllxhanë (tradicionalja) dhe me kunguj (në vend të patëllxhanit, për të mos qenë aq e yndyrshme). Mamaja ime për shembull nuk preferon as njërën, as tjetrën, por e përgatit musakanë me patate, dhe është sërish jashtëzakonisht e shijshme!

 

Përbërësit (për 1 tepsi të madhe)

2 kg patëllxhanë rrumbullakë, të mëdhenj

1 kg mish i grirë

½ filxhan vaj

2 qepë të mëdha të grira

5 domatë të kuqe

2 filxhanë verë e bardhë e thatë

kripë

piper

djathë kefalotiri i grirë

vaj për të fërguar

salcë beshamel

 

 

Receta për salcën beshamel

1 litër qumësht, 100 g miell, 100 g gjalpë, pak kripë, pak arrë moskat

Zieni qumështin mënjanë, dhe në një tenxhere tjetër shkrini gjalpin dhe shtoni miellin, duke e përzier, pa lejuar krijimin e kokrrizave. Gatuajini derisa mielli të marrë ngjyrë të kafenjtë të hapur.

Hiqeni nga zjarri, shtoni qumështin e zier dhe përziejini. Vëreni sërish në zjarr të ulët me kripën e arrën moskat dhe përziejini vazhdimisht derisa salca të trashet, duke pasur kujdes të mos ngjisë në fund.

Përgatitja e musakasë

  1. Pastroni, lani dhe pritini patëllxhanët në feta të mëdha e të holla. Kriposini dhe lërini në kullonjëse.
  2. Skuqeni mishin e grirë në vaj dhe qepë dhe shuajeni me verë të bardhë. Shtoni domatet e pastruara dhe të grira, kripën, piperin, dhe lëreni të ziejë avash derisa salca të trashet.
  3. Hidhni vajin në një tigan dhe skuqni mënjanë patëllxhanët. Sistemojini patëllxhanët në një tavë të madhe dhe spërkatini me djathin kefalotiri. Shtroni sipër salcën me mish, dhe mbulojini me patëllxhanët e tjerë, duke krijuar kështu shtresa njëra pas tjetrës, derisa të mbarohen patëllxhanët dhe mishi.
  4. Në shtresën e fundit të patëllxhanëve shtroni sërish djathë, shtoni salcën beshamel dhe spërkatni sërish me djathë. Futeni në furrë me 200 gradë dhe piqeni derisa salca lart të ketë marrë ngjyrë të artë në sipërfaqe, rreth 30-40 minuta.

 

Musaka me kungull

Mjafton të zëvendësoni patëllxhanët me kunguj dhe ndiqni të njëjtat hapa si më lart. Një racion musaka me patëllxhanë ka rreth 900 kalori, ndërsa racioni me kungull 750 kalori.

Tags:

Shendetshmerisht
  • Show Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

comment *

  • name *

  • email *

  • website *

Ads

You May Also Like

Salca Hollandaise (për vezë Benedict)

Në kulinari, nëse ke thënë “salcë Hollandaise”, ke thënë bashkë me të edhe “vezë ...

Si të përgatisim majonezë

Njerëzit ndahen në 2 kampe kur vjen puna te majoneza. Unë personalisht hyj te ...

Krem karamel

E quajmë krem karamel, por emri origjinal i kësaj ëmbëlsire është në fakt “flan”. ...